10 arsye përse të jeni pjesë e edicionit të 7-të të KosICT

  • October 10, 2018 13:30
  • Teknologji

Për të gjithë përkrahësit e teknologjisë, kemi lajme të mira. Siç edhe mund të dini, këtë vikend me 12 dhe 13 tetor do të mbahet konferenca e përvitshme, KosICT, e cila mbledhë entuziastë dhe profesionalistë të TIK në një vend. Këtë vit konferenca do të mbahet në ambientin e Teatrit Kombëtar të Kosovës e do të ofrojë laramani të mundësive, personaliteteve si dhe hapësirave kreative. Konferenca do të zhvillohet paralelisht në sallën kryesore, sallën dytësore (të developer-ave), panairi i startup-ëve dhe inovacionit që do të mbahet në hollin e teatrit si dhe VIP Lounge, holl i rezervuar vetëm për biznis-bërje.

Ju do të keni mundësi të dëgjoni nga folës ndërkombëtarë rreth: Internet of Things (IoT), Smart Cities, Teknologjia Blockchain, Rrjeti 5G, Siguria dhe Privatësia, etj.

Nëse po pyesni veten se pse të jeni pjesë e konferencës, më poshtë gjeni të listuara dhjetë arsyet kryesore përse të mos e humbisni:

1. Folësit tanë janë shumë “cool”

Skena kryesore dhe dytësore e konferencës do të jenë të mbushura ne folës ndërkombëtarë, rajonal e vendorë që kanë të përbashkët profesionalizimin në fusha të TIK. Ndër të tjera, folës si: Dr. Robert Couronne (NIK), Driton Emini (T-Mobile Austria), Sandra Perica Cvjetko (Ericsson), Oleg Giberstein (Coinrule), Arnaud Paul (The Give Foundation), Herwig Langthaler (GmBH), Judit Klein (ZOLLHOF), Jonas Jung (Medical Valley), Matija Torlak (Digital School Slovenia), Fatbardh Asllani (Capgemini), e të tjerë, premtojnë të mbajnë të zgjuar audiencën me fjalimet e tyre interesante.

2. Storie nga kompani të njohura botërisht

Fatmirësisht folësit tanë vijnë nga kompani me renome botërore, të cilët premtojnë të na sjellin storie nga përvojat e tyre në ato kompani. Njerëz nga EBRD, T-Mobile, Coinrule, Ericsson, Network Innovation and Cooperation (NIK) do të jenë pjesa kyçe e dy ditëve të konferencës.

3. Bileta e këtij edicioni është SUPER lirë

Ndryshe nga edicionet e kaluara, biletat e këtij edicioni të KosICT do të jenë të ndara në tri kategori. Biletat do të mund ti gjeni falas për studentë (kjo biletë përfshinë hyrjen në skenën dytësore dhe në panair) si dhe bileta RED, për vetëm 10 EUR për nder të 10 vjetorit të STIKK (kjo biletë përfshinë hyrjen në skenën kryesore, dytësore, në panair si dhe në festën KosICT nights). Kategoria e tretë (BLACK) është e rezervuar ekskluzivisht për biznis-bërje.

4. Mundësi e mirë e rrjetëzimit

Duke pasur parasysh masën e madhe të  pjesëmarrësve te cilët tërheqë konferenca, ju do të keni mundësi të takoni figura nga më të ndryshme, si përfaqësues qeveritar, përfaqësues nga kompani vendore e ndërkombëtare të TIK, të krijoni lidhje me folës të konferencës e pafundësisht mundësi të tjera nga të cilat do të keni mundësi të përfitoni ju si individ, startup-i apo kompania juaj.

5. Mundësi e të bërit biznes

Pjesë e konferencës është edhe VIP Exclusive Lounge, i cili është vendtakim i përfaqësuesve të kompanive nga Kosova e e gjithë bota, të cilët takohen në KosICT me qëllimin e krijimit të lidhjeve biznesore dhe partneriteteve frytdhënëse.

6. Të motivoheni nga mundësitë që ofron KosICT

Qëllimi kryesor i konferencës është të motivojë dhe informojë masën për mundësitë e mëdha të cilat TIK po i jep, duke pasur parasysh se është shëndërruar në sektorin me më së shumti prioritet në Kosovë.

7. Jeni një hap me botën

Temat për të cilat diskutohet në KosICT janë tema me trend, një hap me botën. Ju do të keni mundësi të informoheni për teknologjitë më të fundit përmes fjalimeve që do të mbahen në skenën kryesore dhe dytësore.

8. Audienca e KosICT është shumë interesante

Përveç folësve, vlen të përmendet që audienca e KosICT është shumë e rallë. KosICT mbledhë të gjithë komunitetin e TIK në një vend, e kjo ju siguron që ju do të keni të paktën një temë të përbashkët për të diskutuar, teksa njoftoheni e socializoheni me njëri-tjetrin.

9. Takohuni me astronautin e parë në Kosovë

Jo aq bukfalisht sa po tingëllon, nëpër korridoret e teatrit do të mund të takoni astronautin e KosICT i cili ka ardhur të nga tregojë që mundësitë në sektor janë të pafundme ashtu sikur hapësira. Slogan i konferencës së sivjetme është #limitless apo #pafund.

10. KosICT nights

Çka është një konferencë pa festën përmbyllëse? Të gjithë të pranishmit e konferencës do të mund ti takoni edhe në festen përmbyllëse të KosICT, ku do të ketë pije, muzikë e njerëz të mirë.

Më shumë informata mund të gjeni: www.kosict.com

Loading...