Messi theu akullin, a mundet Chelsea ta ndalë?

  • March 13, 2018 15:28
  • Sport

Në ndeshjen e kthimit të tetës së finales së ligës së kampionëve në “Nou Camp”, Barcelona e pret Chelsean dhe do të mundohet që për herë të katërt në 18 vjet të eliminoj ekipin londinez ose e kundërta, “të kaltrit” të barazojnë bilancin në 3-3. Në takimin e parë nuk pati fitues, në Londër ishte 1-1, dhe pasi mysafirët nga Katalonia u nxorën me golin e Messit në 15 minutat e fundit, ndeshjen e kthimit e presin më qetë.

Me atë gol kampioni aktual i Anglisë ra nga grupi i gjashtë ekipeve të cilëve argjentinasi nuk iu ka shënuar gol në Europë (Atletiko Madrid, Inter, Benfika, Liverpool, Rubin dhe Udinese). Tani para mbrojtjes së ekipit të Antonie Contes, e cila nuk e ruajti rrjetën në katër ndeshje të fundit, detyrë e re iu mbetet të ndalin yllin e Barcelonës.

 

Përveç kësaj, “të kaltrit” luajnë edhe kundër traditës. Barcelona në histori ka humbur vetëm dy ndeshje në Nou Camp nga skuadra angleze, 19 fitore dhe 11 barazime. Chelsea ndodhet para një sfide të madhe dhe për këtë i vetëdijshëm është edhe Conte.
“Patjetër duhet të luajmë mirë nëse mendojmë ti bëjmë ballë njërit prej ekipeve më të mira në botë. Jemi gati vetëm të vuajmë, sikur që ishte rasti në ndeshjen e parë, kur pothuajse ishim të përkryer. Nuk kemi përvojë të madhe, shumica e lojtarëve të mi e kanë sezonin e dytë në Champions dhe patjetër të shfrytëzojmë çdo mundësi”, tha Conte.

Barcelonës i kthehet edhe Iniesta dhe ata do të luftojnë për çerekfinalen e 11-të në Ligën e kampionëve.

“Chelsea është rival i fortë, sidomos në mbrojtje dhe është homogjen. Shpresoj të jemi në nivel dhe të kalojmë tutje”, ishte i shkurtër Valverde.

Ndeshja e dytë e ditës së mërkurë është vetëm një formalitet, ajo mes Bayernit dhe Besiktashit në Stamboll, pasi gjermanët ndeshjen e parë e fituan 5-0.  Kjo ndeshje fillon në ora 18:00, kurse ajo në Nou Canp në ora 20:45.