PamPress: “Gërmia” të mos rrënohet, t’i jepet në shfrytëzim për zyra mediumit tonë

  • October 20, 2018 11:29
  • Satirë

Objekti i ish-shtëpisë së mallrave në Prishtinë, i njohur si “Gërmia”, ka ngjallur mjaft debat në kryeqytet. Ideja për rrënimin e saj dhe ndërtimin e sallës koncertale në atë lokacion, veçanërisht në mesin e arkitektëve po shihet si veprim i papranueshëm.

Ky objekt që u ndërtua në një periudhë kohore të ngjashme me Hotelin Grand, nga njëra palë po cilësohet si një nga simbolet e rralla të trashëgimisë kulturore në Prishtinë. Por, pala tjetër  po e konsideron si më të rëndësishme ndërtimin e sallës koncertale, për çfarë është premtuar donacion nga jashtë.

PamPress e ka përcjellur me vëmendje debatin për rrënim apo konservim të këtij objekti, por deri më tani i ka lënë palët të japin argumente e kundërargumente për këtë çështje.

Pasi që kemi parë se palët nuk po arrinë të përafrojnë qëndrimet dhe të gjejnë gjuhën e përbashkët, PamPress e sheh të udhës të japë propozim për zgjidhje finale në këtë çështje.

PamPress propozon që objekti “Gërmia” të mos rrënohet. Njëkohësisht, ne konsiderojmë se i njëjti nuk ka nevojë të futet në listën e objekteve të mbrojtura.

Si portali më i hershëm në vend, dhe me influencë të jashtëzakonshme në vend, rajon dhe me gjerë, PamPress kërkon që objekti “Gërmia” t’i lëshohet portalit tonë si hapësirë për zyrat e tij.

Për ne, kjo është zgjidhja qe pushon debatin dhe sjell pajtueshmëri mes dy palëve ngase “Gërmia” shpëton pa u rrënuar, dhe në të njëjtën kohë PamPress ndonëse do të shfrytëzojë këto hapësira, ka gatishmëri të lë në shfrytëzim këto hapësira sa herë që do të mbahen koncerte.

PamPress pret përkrahje nga shteti dhe grupet shoqërore në kryeqytet për propozimin tonë. Ne kemi mes z-së dhe zh-së, pra zgjidhjes dhe zhurmës, jemi vendosur për të parën.

 

 

Lajmet në rubrikën "Satirë" janë lajme satirike, dhe si të tilla në shumicën e rasteve janë lajme të sajuara dhe jo të vërteta.

Loading...