LAJMI I FUNDIT: Nuk ndodh asgjë në Kosovë

  • November 04, 2018 20:58
  • Satirë

Sot në ora 17:45 nuk ka ndodhur asgjë në Prishtinë.

Lajmin për portalin tonë PamPress, e ka konfirmuar zyrtarisht zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Baki Kelani, i cili ka thënë se fajtori për këtë mosndodhi do të kapet dhe do të futet prapa grilave në mundësinë e parë.

‘’Po, mund ta konfirmoj se sot në ora 17:45 në Prishtinë, dhe në Kosovë, nuk ka ndodhur asgjë, gjë që ka alarmuar organet kompetente të sigurisë. Aktualisht, Policia e Kosovës është duket hetuar në disa pista të dyshimta lidhur me këtë gjë. Ne dyshojmë se deri të shkaktimi i mosndodhjes asgjë erdhi si pasojë e mosveprimeve dhe lënies ‘nasgjë’”, tha ai nga vendi i ngjarjes, ku aktualisht janë disa ekipe të Policisë, përfshirë forenzikën dhe departamentin e krimeve kibernetike.

PamPress ka kuptuar nga burime të veta se kjo gjë Kosovën mund ta shpie drejt një vorbulle të krizës politike dhe ekonomike, të llojit që s’është parë ndonjëherë.

Ndaj mosndodhjes asgjë janë alarmuar edhe ambasadat, të cilat kanë kërkuar veprime konkrete nga autoritetet kundër krimit të organizuar dhe mafias së të mosbërit asgjë.

Ramush Haradinaj ndërkohë nuk ka marrë vesh ende për atë që s’ka ngjarë në Kosovë, pasi që ai po lufton ndaj mosbërjes asgjë; po shëtit maleve e fushave të Kosovës, ku nuk ka qasje telefonike për ta kuptuar se ka ndodhur mosndodhja e asgjësë.

Gazetari i PamPress do ta vazhdonte me dëshirë këtë shkrim, por kjo vetëm sa do ta komplikonte tërë kuptimin e tij, duke hyrë llugave të panevojshme.

Lajmet në rubrikën "Satirë" janë lajme satirike, dhe si të tilla në shumicën e rasteve janë lajme të sajuara dhe jo të vërteta.

Loading...