Për përdorimin e gjuhës shqipe u fol që kur BDI u formua si parti

  • November 22, 2017 11:28
  • Opinion

 

Të flasësh për Ligjin për përdorimin e gjuhëve në Maqedoni, nuk është aspak e re. Për përdorimin e gjuhës shqipe u fol që kur BDI u formua si parti, e cila premtoi se do ta zgjedh këtë çështje. Mirëpo, edhepse sot e gjithë ditën, kjo çështje nuk është zgjidhur. Ditëve të fundit kjo çështje u bë aq e zëshme, sa që, edhe Komisioneri për zgjerim dhe politikë fqinjësore, Johanes Han, në vizitë e tij të fundit në Shkup, u detyrua të flasë. Ose, më drejt e detyrova unë të flasë, duke ia shtruar pyetjen konkrete. I pyetur për investimet që ka bërë BE-ja, për progresin e shoqërisë sonë, nëse e kushtëzon edhe me përmbushjen e barazisë kombëtare (etnike, nacionale) të shtetasve të Maqedonisë, ai u ndal në zbatimin e ligjit për përdorimin e gjuhëve të tjera në Maqedoni. Dhe kur prisja lëvdata që nxora nga goja e tij një të vërtetë të madhe, por të fshehur, u kritikova nga shumë anë, sepse pyetja ime paska qenë gjithëpërfshirëse dhe jo konkrete. Por, arrita të mësoj, jo vetëm unë, por i gjithë popull shqiptar, duke e transmetuar mediat në Shkup – Maqedoni, Tiranë- Shqipëri, Prishtinë – Kosovë, e gjetiu qëndrimin zyrtar të BE-se, përmes gojës së Hannit, i cili tha: … ky proces ec ngadalë , por njerëzit e qeverisë duhet ta kenë si prioritet. Këtë pohim, siç thash, e transmetuan të gjitha mediat, duke mos vënë shënuar emrin e gazetares (autores) që e shtroi pyetjen. Në rastin konkret – timin. Pyes veten dhe të tjerët: kujt dhe pse i pengoi emri im? Bile edhe mediave në gjuhën shqipe!!! Unë bëra detyrën time si gazetare (shqiptare). Vetëm kaq. Dhe besoj se ia arrita qëllimit: ta mësoj unë dhe opinioni lexues qëndrimin e BE-se për barazinë kombëtare të shtetasve të Maqedonisë, dhe konkretisht për përdorimin zyrtar të gjuhës sonë. Dhe tani e dimë: Ligji për gjuhën shqipe nuk është prioritet i qeverisë maqedonase, dhe ai nuk është kusht për marrjen e rekomandimit pozitiv nga Bashkimit Evropian, për nisjen e bisedimeve me Maqedoninë. Megjithatë, Hann theksoi se, Bashkimi Evropian është i përkushtuar që ligji të miratohet sa më shpejtë të jetë e mundur, me kusht që të jetë në pajtim me rekomandimet e Komisionit të Venecias.

 

Delvina Kërluku – Nëntor – 2017