Nuk do të ketë liberalizim

  • October 12, 2017 09:32
  • Opinion

Kryeministri me të drejtë u deklarua në emisionin Rubikon se marrëveshja me Malin e Zi nuk ka përfunduar. Kjo për shkakun se marrëveshjet ndërkombëtare kërkojnë marrëveshje të dy qeverive, dhe obligojnë ratifikim e marrëveshjeve në Kuvendet e të dy shteteve me aprovimin e 2/3 e deputetëve. Siç e dimë, të dy qeveritë, ajo e Kosovës dhe ajo e Malit të Zi kishin arritur një marrëveshje. Më pastaj, Kuvendi i Malit të Zi e kishte ratifikuar dhe pastaj kjo marrëveshje u bë temë e zhurmshme ku asnjëherë nuk gjeti aprovim dhe legjislatura e kaluar asnjëherë nuk pati rastin të votoj. Siç e kujtoni, Z. Haradinaj ka qenë një prej protagonistëve kryesorë kundër kësaj marrëveshje, dhe kishte hedhur edhe gaz lotsjellës që mos të sillej për votë në Kuvend.

Ku qëndrojmë sot?

Tash, sa i përket kësaj marrëveshje, duhet kuptuar se nëse Parlamenti i Kosovës nuk e ratifikon këtë marrëveshje, gjithçka bie ne ujë. Më shkurt, gjithçka kthehet në pikën ZERO dhe kjo marrëveshje nuk ka vlerë për asnjërën palë, as Kosovën as Malin e Zi.

Mirëpo, çka nuk po bisedohet është se kthimi në pikën ZERO nënkupton bisedime të reja me komisione të reja, me shpresë për një marrëveshje të re. Prej aty të dy qeveritë duhet që prapë të aprovojnë, dhe prapë krejt në fund prapë kërkohet aprovimi I të dy Parlamenteve me 2/3 e votës për ta jetësuar këtë marrëveshje. Kjo, miq e dashamirë,  nënkupton edhe një kohë kohore prej së paku 2 vjetësh.

Tanimë dihet se pa këtë marrëveshje nuk ka liberalizim, dhe 2 vite bisedime nënkupton 2 vite izolim. Pyetja shtrohet, a ka guxim Kryeministri të rrezikoj t’i mbaj qytetarët e izoluar për shkak se ai vet nuk është i bindur se kjo marrëveshje nuk qenka e mirë, edhe pse bashkësia ndërkombëtare se bashku me shumë parti tjera  (LDK-në, PDK-në, AKR-në) bashkërisht kanë deklaruar se është marrëveshje e drejt që nuk e dëmton Kosovën?

Mendimi im, Kryeministri, përkatësisht deputetët e tij në Parlament, nesër do e votonin këtë marrëveshje për të fituar sa më shpejt liberalizimin e vizave. Liberalizimi kish me qenë dhe mbetet një ndër trofetë më të mëdha që synohet nga të gjitha pushtetet, dhe sigurisht se kish me qenë një shtytje e madhe “suksesi” për qeverinë e tij.

Mirëpo, nëse unë besoj se partia e tij do e votonte këtë marrëveshje, atëherë secili prej jush ka drejtë të pyes, pse atëherë Kryeministri nuk e solli për votim në Kuvend por morri vendim me shkarku komisionin dhe me emëru një komision te ri?

Për dy arsye.

E para, emërimi i komisionit të ri është zbutja gjakrave dhe me leju mu harru kjo temë kaq populiste. Njëkohësisht me çu mesazh sigurie tek qytetarët se Kryeministri vet është në krye të kësaj çështje madhore me një komision të ri të besueshëm prej tij.

Kjo temë ka qenë shumë e ndjeshme. Aq e ndjeshme, sa që unë jam i bindur se ka pasur forcë me çu vendin në zgjedhje të reja, diçka që e arritën partitë e atëhershme opozitare. Tjetra, unë besoj se komisioni do të vij në të njëjtin konstatim, dhe Kryeministri do të dal pastaj me ndryshu kursin dhe me përkrah marrëveshjen me të njëjtën formë. Kjo për shkak se, siç e ceka më lartë, çfarëdo ndryshimi të kësaj marrëveshje nënkupton kthim në pikën zero, që do të ishte vetëvrasje politike Kuse, nëse dikush mendon se Kryeministri nuk ndryshon mendje, kujtoni koalicionet dhe të gjitha salltat politike në katër vitet e fundit dhe e kuptoni që në diskursin tonë politikë nuk ka asnjë përjashtim.

E dyta, mendoj kjo ka më shumë peshë, emërimi i këtij komisioni ka qenë strategji për të fituar kohë. Kjo për arsyen e thjeshtë se edhe Kryeministri NUK i ka numrat për ta ratifikuar këtë marrëveshje. Ky është problem kryesorë, dhe është krizë që po mbahet fshehur, por që eventualisht do të shpërthej në publik shumë shpejt.

Pse?

Siç e thash më herët, kjo marrëvëshje kërkon aprovimin e 80 deputetëve. Tani, zgjedhjet e Qershorit e kanë ndërru komplet konfiguracionin e Kuvendit dhe kemi krejtësisht situatë të re. Me fjalë tjera, Levizja Vetëvendosje! sot është partia më e madhe në Kuvend me 32 deputet, ku të gjithë janë kundër kësaj marrëveshje. Pra, 120-32=88. Më shkurt, pa LV, Kryeministri ka shpresë bashkëpunimi tek vetëm 88 deputetë.

Në mandatin e fundit kemi pas edhe 8 deputete të LDK-së dhe PDK-së që kanë qenë kundër kësaj marrëveshje. Unë besoj se gati i njëjti numër haset edhe sot. Që sipas kësaj Kryeministri ngelet me vetëm 80 deputet (88-8=80).

Shto këtu inatet e LDK-së kundër z. Haradinaj. Mos harroni se z. Haradinaj ishte protagonisti kryesorë që nuk lejoi LDK-në dhe PDK-në që mos të votohet kjo marrëveshje dhe rrjedhimisht çoi në rrëzimin e qeverisë Mustafa. Pra është plagë e freskët për LDK-në, që mjafton ngritje të numrave për të kundërshtuar z. Haradinaj.

Pra, unë besoj se z. Haradinaj nuk i ka as 80 deputet që as të fillojë për t’bindur. Mirëpo vështirësia nuk mbaron me kaq, sepse kur e shton edhe Listën Serbe që i ka 10 deputete, dhe eventualisht ndonjë deputet të NISMA-së, dhe AAK-së, atëherë unë mendoj që sikur edhe me dasht, i mbetet pak hapësirë, mos me thanë hiç, që kjo marrëveshje të gjejë aprovimin e 80 deputetëve në Kuvend.

Që i bie se Kryeministri është duke e vonuar këtë çështje jo se do, por që thjesht nuk i ka numrat, 80 deputet, që të bind me aprovu këtë marrëveshje, që na bie në konstatim se po e përdorë për të fituar kohë sepse çfarëdo vendimi tani rrezikon kthim në pikën zero.

Unë besoj se kjo marrëveshje, të cilën e ka kundërshtuar Kryeministri dikur, do t’i kthehet bumerang dhe do t’i kushtoj në fund politikisht.

Cilat janë opsionet?

Vështirë me parashiku, por një e di që Kryeministri është një komandantë që nuk dorëzohet pa luftë. Zgjedhja e tij si Kryeminister besoj është dëshmia më e mire, mirëpo unë mendoj se kjo ka me qenë sfide ende më e vështirë. Demarakcioni ka qenë gati arsyeja kryesorë që ka shku vendi në zgjedhje. Shto këtu opozitën shumë te madhe të LDK-së dhe LV-së, ku të dyja do të shfrytëzojnë këtë rast ideal hipokrizie për të marrë hak dhe diskredituar qeverinë Haradinaj.

Në fund, unë besoj se krejt kjo sagë prapë do të përfundojë në duart e LDK-së. LDK-ja gjithmonë shihet si më institucionaliste, më e butë dhe me bashkëpunuese në vendimet e mëdha, dhe rrjedhimisht topi do të kthehet në fushën e z. Mustafa, i cili nuk besoj se është i gatshëm të akomodoj duke marrë parasysh kundërshtinë e z. Haradinah dhe rrëzimin e qeverisë së tij nga z. Veseli.

Çka pastaj?

Çka nuk është e mundur pastaj. A ka mundësi që LDK të hy në koalicion qeverisës ku do të mund të përfitonte më shume se të gjithë tjerët në këtë pazar, duke e djeg edhe Pacollin qe e “tradhtoi” LDK-në? Nuk besoj, sepse arsyeja kryesore për degradimin e LDK-së është aleanca e z. Mustafa me PDK-në. Këtë përkrahje nuk e gjen as tek elektorati, por as tek deputët tjerë.

A ka mundësi që LDK me ndrru mendje dhe mos me votu marrëveshjen e demarkacionit? Ka shumë rreziqe. Ndoshta do ishte një rast ideal për hakmarrje ku e kishte dëmtu rëndë qeverinë Haradinaj, por njëkohësisht rrezikon vet LDK-në sepse z. Mustafa vet e ka përkrah të njëjtën marrëveshje. Çfarëdo qëndrimi ndryshe del hipokrizi, dhe kjo pastaj edhe LDK do akuzohej si përgjegjëse për izolim të mëtutjeshëm. A ka mundësi që Kryeministri të mos ketë zgjidhje tjetër dhe në momentin e fundit ta provoj fatin në Kuvend duke e rreziku dështimin e marrëveshjes, ku pastaj do i fajësonte tjerët për këtë dështim? Kjo shumë vështirë se ndodh, sepse Kryeministri e di se një veprim i tillë konfirmon izolimin e qytetarëve për një kohë të gjatë, që rrezikon të rrit presionin nga opozita për të çu në zgjedhje të reja, dhe që ai e di mirë që gjasat që ai prapë të zgjidhet Kryeministër janë gati ZERO.

Atëherë, ku po mbetemi tani?

Duke u bazuar në këtë rrjedhojë, ka një konstatim të vetëm, nuk ka liberalizim, dhe nuk besoj se do të ketë për së paku edhe një vit. Çka do të ketë është një betejë tjetër, betejë kjo që pritet të shpërthej shumë shpejt, dhe që besoj do të jetë më e ashpër se ajo e fundit, ku sikur në çdo luftë tjetër, viktima prapë mbeten qytetarët e thjeshtë.