“Jena Gzu, O Jena Gzu…”

  • November 22, 2017 10:28
  • Opinion

 

Dikush akuzon tjerët, dikush lavdëron veten, sponsorët dhe popullin, e tjetri heshtë mençur sepse në fund të fundit nuk di as çka me thanë njeri kur mbetet në mes, as humbës as fitues. E portalet, qysh i shanë ëmbël kryeministri Rama, u kënaqën, se po ka sa të duash tema pikante. Klikueshmëria, është në maksimum. Sidomos tash, kur po kërkohet rinumërimi. Jo se ka ndonjë arsye konkrete, të prekshme, për rinumërim, por diqysh strategët e fushatave nuk po munden me u pajtua, qysh prapë me fitua i njëjti, edhe pse të gjithë u patën rreshtua kundër, sidomos në balotazh

FADIL LEPAJA

“Nastradin, hajt pash nderën, na rrej diçka hijshëm”,- lutet populli i gatshëm me u përkundë në qyfyret e tij, dhe pa përtuar fare Nastradini e fillon fushatën… Diku dasmë, e diku “mort”! Diku me tupan e diku me gotën e mbushur plot, me lot, para vetes. Dikush duke kënduar,- “Jena gzu, o jena gzu”, e dikush bashkë me Sinanin duke klithë ,-“Krejt mbrapsht, mbrapsht po na shkon jeta”! Qishtu! Shkuan edhe këto zgjedhje, të dytat sivjet. Dikush po lavdërohet nëpër portale, tjetri ngushëllohet, ndërkaq i treti po arsyetohet rreth rezultateve. Dikush akuzon tjerët, dikush lavdëron veten, sponsorët dhe popullin, e tjetri heshtë mençur sepse në fund të fundit nuk di as çka me thanë njeri kur mbetet në mes, as humbës as fitues.

E portalet , qysh i shanë ëmbël kryeministri Rama, u kënaqën, se po ka sa të duash tema pikante. Klikueshmëria, është në maksimum. Sidomos tash, kur po kërkohet rinumërimi. Jo se ka ndonjë arsye konkrete, të prekshme, për rinumërim, por diqysh strategët e fushatave nuk po munden me u pajtua, qysh prapë me fitua i njëjti, edhe pse të gjithë u patën rreshtua kundër, sidomos në balotazh. Profesionistët, që prodhuan drita, mjegull, ujq që ulërinin prapë skene dhe të gjitha efektet e tjera speciale, nuk po lejojnë me ra perdja ende, sidomos për shkak se nuk arritën me i arsyetua paret e mëdha që i morën. Shëndosh, të jesh, se paret shkojnë e vijnë, se atë punë e kanë me lëvizë prej thesi në thes, prej xhepi në xhep, e me raste edhe nëpër xhirollogari. Kur, na ruaj o Zot, ndalet qarkullimi i parasë, atëherë edhe ekonomia është keq, zerot nuk shtohen, prandaj krejt loja, krejt iluzioni vihet në pyetje.

Ne ekonomi, nuk kemi, por paratë duhet të bëjnë ciklin e vet . As matematika më nuk është çfarë ishte dikur. Dikur njeriu mund të llogariste se një edhe një bëjnë , tre, së paku në politikë. Kështu merreshin vesh të mëdhenjtë dhe ashtu bëhej. Tash jo, kanë lëvizur gjërat, sepse nganjëherë një edhe një po bëjnë edhe dy. Realiteti dhe iluzioni po përballen para syve tonë dhe diqysh ma fort po na pëlqen iluzioni. “Nastradin, hajt pash nderën, na rrej diçka hijshëm”,- lutet populli i gatshëm me u përkundë në qyfyret e tij, dhe pa përtuar fare Nastradini e fillon fushatën. Nëse kah fundi i mandatit, vetëm 10% të premtimeve realizohen, krejt kanë me u nda të kënaqur, se ndërkohë elektorati do të ushqehet në tryezën e shtruar nga buxheti, sepse të jesh votues , dhe militant, është punë me orar të plotë. Pra, në fund fare, dikush duhet me fshi krejt këtë tollovi fjalësh, premtimesh, shpresash, gënjeshtrash, iluzionesh dhe me i hedh në kontejnerin më të afërm publik. Ajo që mbetet është pasqyra reale e ndryshimeve në skenën tonë të vogël politike, me lider aq të mëdhenj.

Tash në secilën lagje , do të instalohet këndesi i ri, i cili do ta zgjojë popullin sipas orarit të vet. Liderin e ri, lokal, ata më të avancuarit në teknologji, e të tillë tash janë krejt rinia jonë e mrekullueshme dhe e papunë, lirisht mundeni me e instalua në mobilin e juaj, kështu që ta keni “live”, kudo të jetë edhe ai, dhe ju mund të keni qasje dhe të komentoni në çdo kohë. Mundeni me i lexua , në kohë reale, statuset e tij në profilin e tij në rrjetet sociale, me i pa fotografitë ku ai shihet duke vuajtur për këtë popull e për këtë vend. Ja vlen ky vend, gjithë këto vuajtje të politikës. A nuk është shkëmb e gurë? E populli, si çdo popull tjetër, sado epik që të jetë, duhet të shkojë në punë, nëse e ka një të tillë, madje edhe kur nuk ka, duhet të endet rreth kontejnerit publik, për me pa mos, politika, kanë hedhur diçka nga ato që kanë marrë tepër nga buxheti. Duhet mbijetuar deri te zgjedhjet e reja, se zgjedhjet janë industri në rritje. Pajtohen të gjithë se pak janë një palë zgjedhje në katër vjet. Duhen zgjedhje çdo dy vjet, se vetëm në zgjedhje oligarkia e zgjidh qesen, e nganjëherë besa edhe thesin. Pra, të dashur, shkuan edhe kësaj radhe zgjedhjet. Edhe Balotazhi, shkoi.

Tash duhet kur populli duhet me e fillua punën, derisa politika ja fillon festës, se tash ajo e ka muajin e mjaltit. Lëvizjet e mëdha, të politikës ruhen për disa muaj para zgjedhjeve, kështu që nëse keni ndonjë projekt, ide, apo ofertë për politikën, administratën, dukuni disa muaj para zgjedhjeve të ardhshme dhe ka shumë gjasë të gjeni zgjidhje. Nejse, mos u bëni ankues, toksik si po thonë tash, se politika e ka merituar pushimin. Tash rehatohen edhe argatët e zgjedhjeve, kush atje e kush pak ma andej përreth kryetarit e deri te kontejneri i fundit i shërbimeve publike. Sa me futë kokën diku. Nuk bënë me i lënë jashtë, në borë e në shi, se ata janë me profesion….votues. E partitë si partitë, e kanë zdritë, edhe pse tash kurë janë fikur dritat me ngjyra, realiteti lokal ka mbetur bardh e zi, pak a shumë njëjtë me atë nacional. Ndërkohë, bashkësia ndërkombëtare, po vështron nga bregu. Bora e parë ra, por nuk mbajti, por dielli është fshehur prapa “Arbërisë”! Nëpër ndejat e rastit, para politikanëve të dehur, hidhen draft marrëveshjet e reja, dhe marrëveshjet e moçme.

Çka po bëjmë me to, pyeten ata. Politikanët rrudhin krahët. E çka me ba…Nuk bënë me pre dardhën që na ushqen, këshillojnë këshilltarët rural nëpër kabinete. Jo, nuk bënë, pajtohen edhe ndërkombëtarët. Ju vetëm si krizë, jeni dikush….! Megjithatë nuk është krejt, aq depresive! Mos u dëshproni o popull. Një politikë e suksesshme, nuk e lë popullin të mendoj, por e argëton atë. Dikur poeti këndonte,- “Asgjë nuk duam nuk…veç iluzion, dhe pak bukë…!” Po e dini, se nuk ka thënë krejt ashtu. Fundja kujt i bënë…? Kemi festa të mëdha para nesh. Gëzuar!