Xhaferi në takimin e 15-të të Evropës Juglindore në Tiranë

  • May 26, 2018 14:30
  • Lajme

Takimet e mëngjesit të lutjeve janë një traditë inspiruese që përçojnë vlerat e besimit, paqes dhe dashurisë, dhe pikërisht janë këto vlera thelbësore që i nevojiten njerëzimit për tu ballafaquar me sukses me sfidat globale të shekullit të 21-të, porositi kryetari i Kuvendit, Talat Xhferi në Takimin e 15-të Evropës Juglindore, që po mbahet në Tiranë.

Është fakt, shtoi se çdo ditë e më shumë është duke u krijuar një kontekst global i ekzistencës së njeriut, qoftë në kontekstin ekonomik, politik, kulturor, apo religjioz.

“Prandaj, vlerësoj se Mëngjesi i Lutjes është një mundësi për t’i shkëmbyer përvojat, qëndrimet apo bindjet tona në lidhje me ndodhitë globale aktuale dhe sfidat që sjellin ato, si dhe njëkohësisht të shprehim falënderimet tona për mirëqenien, miqësinë dhe bashkëpunimin reciprok. Më vjen mirë që Mëngjesi i Lutjeve këtë vit prek çështjen e dashurisë dhe respektit ndaj fqinjit, pasi që Republika e Maqedonisë me formimin e Qeverisë së re është e orientuar pikërisht ndaj ndërtimit të mirëkuptimit dhe marrëdhënieve të mira me fqinjët”, tha Xhaferi.

Përkujtoi se tashmë ka nënshkruar Marrëveshjen për fqinjësi të mirë me Republikën e Bullgarisë, dhe i ka intensifikuar bisedat me Republikën e Greqisë për problemin me emrin, ndërsa ka iniciuar vizita reciproke me shtetet tjera fqinje.

“Vlerësoj se tani më shumë se kurrë rajoni ynë ka nevojë për stabilitet ekonomik dhe politik, dhe kjo mund të arrihet vetëm përmes bashkëpunimit të ndërsjellë, si në aspekt bilateral ashtu edhe në aspektin multilateral. Sfidat e fundit globale që prekën shtetet tona, siç ishte vala e refugjatëve, dhe zhvillimet e fundit pozitive politike, janë edhe një dëshmi më tepër se vendet tona dita ditës hapërojnë sigurt drejt dyerve të integrimit euroatlantik”, potencoi Xhaferi.

Ai theksoi se me besim të ndërsjellë dhe duke e çmuar diversitetin si pasurinë më të çmuar që kemi, do të arrijmë më shpejtë ti plotësojmë qëllimet tona strategjike të përbashkëta, që janë integrimi në Bashkimin Evropian dhe në NATO.