Prizreni “rrëzon” Qeverinë Haradinaj

  • September 25, 2017 16:28
  • Lajme

Kritikat e ashpra në mes së përfaqësuesve të NISMA-s për Kosovën dhe atyre të PDK-së në garën për qytetin e Prizrenit, mund të qojnë në rrëzimin e Qeverisë Haradinaj.

Në hapjen e fushatës elektorale kreu i NISMA-s, Fatmir Limaj, para mbështetësve të vet duke kërkuar përkrahjen e tyre për Zafir Berishën, ka thënë se duhet t’i  jepet fund qeverisjes kriminale të PDK-së.

 Por, analistët politikë thonë se një gjuhë e ashpër e krerëve të NISMA-s ndaj atyre të PDK-së, mund të qoj në prishjen e koalicionit qeverisës. ImageHidajet Ahmeti

Funksionimi i brishtë i qeverisë

“Këto deklarata të zoti Limaj tregojnë më së miri për funksionimin e brishtë të kësaj qeveri të përbërë më shumë se njëzet parti politike. Deklarata të tilla të cilat në intencë kanë akuza ndaj njëra tjetrës e me theks të veçantë në mes partnerëve të koalicionit qeverisës është sinjal i qartë për krizën e brendshme të Qeverisë Haradinaj”, thotë për gazetën “Bota sot”, analisti Hidajet Ahmeti.

Sipas tij, deklarata e zotit Limaj është brenda kornizës së inateve personale e politike, e cila realisht përkthehet në një dezintegrim të brendshëm qeverisës.

ImageMentor Tahiri

Akuza që mund të prishin koalicionin qeverisës

Edhe politologu Mentor Tahiri thotë se këto akuza mund të qojnë në ndarje të këtyre dy subjekteve politik që janë në koalicion qeverisës në nivel qendror.

“Është e qartë se animozitetet personale ndërmjet akterëve politik në Kosovë nuk lënë hapësirë për rikuperimin e raporteve, madje edhe në rrethana kur dy parti gjenden brenda një koalicioni qeverisës”, thotë ai.

Sipas tij, në rastin e PDK-së dhe Nismës, arsye të ndarjes ishin pikërisht raportet ndër personale dhe jo aq dallimet programore.

“Vetë Nisma u gjend në kuadër të koalicioni aktual si rezultat i marrëveshjes së mëparshme me AAK, ndërsa rrethanat e ngutshme në të cilat u krijua PAN imponuan aranzhime të cilat të pamenduara kujdesshëm, munden më vonë të shpërthejnë deri në masën sa të shkatërrojnë atë që sot quajmë PAN”, shtoi Tahiri.

ImageHaki Abazi

Të gjitha te këqijat vijnë prej PDK-së

Kurse, Drejtori i Rockefeller Brothers Fund Haki Abazi thotë se është natyrshme që Fatmir Limaj të deklarohet ashtu siç është deklaruar në Prizren duke e ditur që të gjitha të këqijat për të dhe partinë tij vijnë nga radhët e PDK-së.

“Do të ishte uditshme dhe naivitet politik sikur Z. Limaj të besonte në qëllimin e mirë të PDK-së. Në fakt PDK është katandisur ashtu siç e ka merituar, sepse ka bërë politikë të përjashtimit dhe diferencimeve ideo-politike që e barazon PDK-në dhe kreun e saj me partitë komuniste, dikur dhe kjo rënie është edhe rënia e mbetjeve të ideologjisë komuniste në Ballkan që është e prezervuar në nëntokë dhe ka shkaktuar shumë dëme dhe dhimbje, por edhe më shumë tradhti politike që ka sjell gjendjen këtu ku është”, shtoi Abazi.

Ndryshe, prej javës së kaluar shihet një ftohje e raporteve në mes së përfaqësuesve të NISMA-s me partitë e tjera në Qeverinë Haradinaj.