Polonia po përballet me trazira në prag të 100 vjetorit të pavarësisë

  • November 09, 2018 13:00
  • Lajme

Përgatitjet për shënimin e 100 vjetorit të pavarësisë në Poloni, që pritet të mbahet këtë të diel, mbetën nën hijen e një marshi nacionalist, i cili do të mbahet në Varshavë. I ashtuquajturi “Marshi i Pavarësisë”, i organizuar nga grupet e ekstremit të djathtë dhe nacionalistët, mbahet për çdo vit në kryeqytetin e Polonisë më 11 nëntor për ta shënuar përvjetorin e rikthimit të pavarësisë së Polonisë, që ndodhi më 1918. Ky marsh është rritur së tepërmi gjatë dekadës së fundit dhe ka tërhequr aktivistë nga tërë Evropa.

Marshi i vitit të kaluar, në të cilin u mblodhën rreth 60 mijë persona, u kritikua ashpër nga shumë organizata dhe institucione ndërkombëtare për shkak të pranisë së parullave raciste dhe ksenofobike dhe sloganeve të dhunës, të cilat u drejtoheshin marshuesve të grupit tjetër. Në anën tjetër, marshi i këtij viti, i cili pritet të jetë edhe më i madh se ai i vitit të kaluar, rrezikon që t’i lërë në hije manifestimet zyrtare të organizuara nga qeveria.

Kryetarja e Varshavës dhe një ndër figurat udhëheqëse të partisë opozitare “Platforma Civile”, njoftoi të mërkurën se marshi pritet të ndalohet për shkak të shqetësimeve rreth sigurisë dhe përhapjes së urrejtjes. “Varshava tashmë ka vuajtur mjaft nga nacionalizmi agresiv. 100 vjetori i pavarësisë së Polonisë nuk do të duhej që të duket kështu, prandaj do të marr vendim që ta ndaloj atë”, deklaroi ajo.

Organizuesit e marshit e kundërshtuan ndalesën dhe thanë se marshi do të mbahet pavarësisht ndalesës. “Marshi i Pavarësisë do të mbahet, ashtu siç është mbajtur për çdo vit. Despotizmi liberal nuk do t’ia rrëmbejë polakëve mundësinë për të festuar”, tha Robert Winnicki, udhëheqës i “Lëvizjes Kombëtare”, që i përket ekstremit të djathtë.

Disa orë pas njoftimit të kryetares së kryeqytetit, presidenti i Polonisë, Andrzej Duda, njoftoi se shteti do ta organizojë marshin e vet në të njëjtën kohë dhe në të njëjtën rrugë me atë të marshit të ndaluar, duke lënë të kuptohet se do ta kontrollojnë drejtpërdrejt ngjarjen. Ai kishte zhvilluar negociata me organizatorët e marshit të ndaluar, me shpresë që t’i bindë ata për të marrë pjesë në një marsh të përbashkët, me kusht që të mos lejohen parullat raciste dhe ekstremiste. Bisedimet dështuan, ndërsa vendimi i kryetares së Varshavës tash vlerësohet si arsyetim për qeverinë që të ndërhyjë.

Qeveria ka deklaruar se Ministria e Brendshme do të mbajë përgjegjësi për sigurinë e marshit dhe se simbolet ekstremiste do të ndalohen, duke ngritur frikë për përleshje mes personelit  ushtarak dhe grupeve ekstremiste nëpër rrugët e Varshavës. Ndërkaq, Ambasada e SHBA-së në Varshavë ka lëshuar një alarm sigurie, me anë të të cilit i këshillon qytetarët amerikanë që t’i shmangen marshit, shkruan “The Guardian”, transmeton Gazeta Express.

Përktheu: Nasuf Abdyli

Loading...