​Nataliteti po bie ndjeshëm në nivel botëror

  • November 09, 2018 13:00
  • Lajme

Studimi mbështetet në trendet e secilit shtet nga viti 1950 deri në vitin 2017. Kështu, në vitin 1950 numri mesatar i fëmijëve të lindur nga një grua ishte 4.7. Ndërkaq, kjo mesatare gati u përgjysmua në vitin 2017, duke rënë në 2.4. Sidoqoftë, kjo mesatare dallon shumë nëpër rajone të ndryshme. Për shembull, mesatarja e fëmijëve për një grua në Niger, që ndodhet në perëndim të Afrikës, është 7.1, por në Qipro kjo mesatare është vetëm 1.

Vlerësohet se rënia e kësaj mesatareje nën nivelin 2.1 paraqet rrezik që popullsia e shteteve të caktuara të fillojë të tkurret. Kur ky studim kishte nisur në vitin 1950, asnjë shtet nuk ndodhej nën nivel të kësaj mesatareje. Prof.Christopher Murray, drejtor i Institutit për Matje dhe Vlerësime Shëndetësore në Universitetin e Uashingtonit, deklaroi për BBC-në: “E kemi arritur nivelin ku gjysma e shteteve janë nën nivelin e mesatares që siguron shtim të popullsisë, prandaj nëse kjo nuk ndryshohet, popullsia në këto vende do të fillojë të zvogëlohet”.

Më të prekura nga kjo rënie e natalitetit janë vendet që janë më të zhvilluara ekonomikisht, përfshirë shumicën e vendeve të Evropës, Shtetet e Bashkuara, Korenë e Jugut dhe Australinë. Thuhet se faktorët për këtë rënie nuk kanë lidhje me cilësinë e materialit riprodhues. Në vend të kësaj, përmenden tre faktorë të tjerë: numri më i ulët i vdekjeve të fëmijëve që ndikon që gratë të lindin më pak fëmijë, qasja më e madhe në mjetet kontraceptive dhe rritja e pjesëmarrjes së grave në sistemin e edukimit dhe punësimit.

Ky raport, që u publikua në kuadër të analizës së organizatës “Global Burden of Diseases”, thotë se vendet që ndikohen nga kjo rënie duhet ta marrin parasysh rritjen e nivelit të imigrimit apo forcimin e politikave që inkurajojnë gratë për të pasur më shumë fëmijë, ndonëse kjo e fundit shpeshherë ka dështuar, shkruan “BBC”, transmeton Gazeta Express.

Përktheu: Nasuf Abdyli

Loading...