Merkel përkrah Macronin për krijim të ushtrisë evropiane

  • November 14, 2018 13:31
  • Lajme

“Nëse shohim zhvillimet e viteve të fundit, ajo çfarë është vërtetë e rëndësishme është që ne duhet të punojmë drejt një vizioni që një ditë të krijojmë një ushtri të vërtetë evropiane”, ka thënë Merkel në një fjalim para Parlamentit Evropian në Strasburg më 13 nëntor.

“Një ushtri e përbashkët evropiane duhet t’i tregojë botës se nuk do të ketë më kurrë luftë në mes të shteteve evropiane”, ka thënë ajo.

Merkel ka thënë se ajo se ajo parasheh një ushtri evropiane që do të funksiononte paralelisht me NATO-n dhe nën Këshillin e Sugurimit të Evropës, duke centralizuar strukturën e mbrojtjes së kontinentit.

“Koha kur ne mund t’i besojmë dikujt pa kushte tanimë ka kaluar. Kjo nënkupton vetëm një gjë: Ne si evropianë kemi gatishmëri për të marrë fatin tonë në duart tona nëse dëshirojmë të mbijetojmë si komunitet”, ka thënë Merkel.

Komentet e saj kanë ardhur një javë pasi Macron ka bërë thirrje për një ushtri evropiane që do t’i siguronte Evropës më shumë pavarësi nga Shtetet e Bashkuara, si dhe do ta mbronte kontinentin kundër agresorëve të mundshëm siç janë Rusia dhe Kina.
Komentet e tij kanë nxitur përgjigje të ashpër nga presidenti amerikan, Donlad Trump dhe kanë rritur thirrjet e Trumpit ndaj shteteve evropiane për të shtuar kontributet e tij në NATO.

Më 13 nëntor, pasi është kthyer nga vizita në Francë, ku kanë nisur përplasjet e tij me Macronin, Trump ka diskutuar për këtë çështje sërish në Twitter.

“Emmanuel Macron propozon krijimin e ushtrisë për të mbrojtur Evropën kundër SHBA-së, Kinës dhe Rusisë. Mirëpo ka qenë Gjermania në Luftën e Parë dhe Dytë Botërore? Si ka funksionuar ajo për Francën? Ata kanë filluar të mësojnë gjuhën gjermane në Paris para se të nisej SHBA-ja. Paguani për NATO”, ka thënë Trump.

Mirëpo ish-Sekretari amerikan i Shtetit, John Kerry ka thënë se Franca i ka ndihmuar SHBA-së për të fituar pavarësinë e saj kundër Britanisë në vitet 1700, dhe ka kritikuar Trumpin për ofendim të “aleatit tonë më të vjetër”.

“Ndaloj postimet në Twitter! Amerika ka nevojë për disa miq”, ka thënë Kerry.
Propozimet franceze dhe ato gjermane për të krijuar ushtrinë evropiane janë parë si kontraverse brenda NATO-s dhe BE-së, pasi shumë shtete kanë hezituar për t’i dhënë fund sovranitetit kombëtar në çështjet e mbrojtjes.

Shefi i NATO-s, Jens Stoltenberg ka thënë se “përpjekjet evropiane për mbrojtje janë të mrekullueshme, mirëpo nuk duhet të dëmtojnë kurrë fuqinë e lidhjes sonë transatlantike”.

Kjo deklaratë është mirëpritur nga Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Jim Mattis më 13 nëntor.

“Ne e shohim NATO-n si gurthemel të mbrojtjes së Evropës në çështjet e sigurisë dhe i mbështesim plotësisht kombet që janë duke bërë më shumë”, ka thënë Mattis.
Franca ka propozuar funksionimin fillestar të forcës intervenuese evropiane të mbështetur nga grupe të vogla të shteteve anëtare, të cilat do të kenë kapacitet për t’u përballur me kriza në rajonet si është Afrika dhe më pas ato forca do të zgjerohen në ushtri evropiane.

Gjermania ka kritikuar këtë propozim, megjithatë ashtu sikurse Macron do të përkrahte idenë e një force të re jashtë kornizës së BE-së, ashtu që të përfshihet edhe Britania e Madhe që shumë shpejt pritet të largohet nga blloku evropian meqë ky shtet ka peshë të madhe brenda NATO-s.

BE-ja aktualisht ka disa grupe për t’u përgjigjur në situata të krizave, ndonëse ato asnjëherë nuk janë pozicionuar.

Fjalimi i Merkelit ka ardhur disa ditë pasi ajo ka njoftuar se nuk do të garojë më si kancelare pas përfundimit të mandatit që ka.

Si udhëheqëse e ekonomisë më të madhe të BE-së, Merkel ka pasur ndikim të konsiderueshem në bllok gjatë gati 13 vjetëve si kancelare. Mirëpo situata brenda Gjermanisë ka dëmtuar fuqitë e saj.

Pas disa mujash diskutime dhe përpjekje për të krijuar koalicionin qeveritar dhe pas rezultatit të zgjedhjeve në dy shtete, Merkel ka njoftuar më 29 tetor se mandate i saj si kancelare do të jetë i fundit.

Bashkimi Evropian aktualisht gjendet në situatë kritike, pasi edhe Britania pritet të largohet nga blloku dhe forcat anti-evropiane dhe ato populliste janë në rritje e sipër./rel

Loading...