Kolonat në Merdare po i shkaktojnë serbët, punojnë vetëm me një sportel

  • April 20, 2019 21:00
  • Lajme

Sikurse çdo vit, sa herë që në shtetet perëndimore ka pushime, mërgimtarët ia mësyjnë vendlindjes.

Ardhja e tyre me vetura, çdoherë shkakton kolona të gjata dhe pritje me orë të tëra nëpër pikëkalimet kufitare.

Kështu, sipas të dhënave të Qendrës kombëtare për menaxhimin e kufirit, në pikëkalimin kufitar të Merdares ditëve të fundit ka pasur kolona veturash dhe pritje të gjata.

Në matjet e bëra ditëve të fundit ka pasur pritje deri në 4 orë e kolona të gjata deri në 2500 metra.

Por çfarë po e shkakton këtë?

Zëvendësministri i Punëve të Brendshme Isa Xhemajlaj në një përgjigje për lajmi.net është shprehur se ditë më parë kolonat janë shkaktuar edhe nga autobusët të cilët kanë udhëtuar për protesta në Beograd.

Por sipas tij, problematike në shkaktimin e kolonave është pjesa e kufirit e menaxhuar nga pala serbe të cilët po punojnë vetëm me një sportel dhe po shkaktojnë vonesa të panevojshme.

Sipas zëvendësministrit Xhemajlaj kjo është gjë e qëllimshme nga pala serbe ndërsa sa i përket palës e cila menaxhohet nga Kosova, nuk ka asnjë vonesë dhe po punojnë të gjitha sportelet.

Vlen të theksohet fakti se pritje kishte edhe në pikëkalimin Dheu i Bardhë ditëve kur kolonat ishin të gjata deri në 700 metra.

Problemet nëpër pikat kufitare nuk janë gjë e re dhe përsëriten pothuajse çdo vit.

Mërgimtarët viteve të kaluara kanë pritur në pika kufitare me nga 12 e 13 orë.

Sipas ekspertëve të komunikacionit, ky fluks i veturave nuk duhet të shkaktojë probleme nëpër pikat kufitare, por shihet problematike kur këto pikëkalime do të ngarkohen edhe më shumë gjatë sezonit së verës.

The post Kolonat në Merdare po i shkaktojnë serbët, punojnë vetëm me një sportel appeared first on .

Loading...