Dhurata Hoxha s’i beson Ramush Haradinajt rreth rolit të Gjermanisë për vizat

  • June 26, 2019 10:32
  • Lajme

Dy partitë që janë duke udhëhequr me Qeverinë, Partia Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, përveç taksës, tashmë kanë filluar që të përplasen edhe sa i përket çështjes së liberalizimit të vizave.

Derisa kryeministri Ramush Haradinaj uron kosovarët për liberalizim të vizave, shkaku i një “PO”-je të madhe që kishte marrë nga Gjermania, ministra të PDK’së thonë që një prej vendeve skeptike rreth asaj se a duhet t’u hiqet kosovarëve regjimi i vizave është edhe Gjermania.

Këto deklarata i ka bërë ministrja e Integrimeve Evropiane, Dhurata Hoxha, duke thënë se tashmë ka një rritje të hezitimit të shteteve anëtare si Franca, Holanda dhe Gjermania.

“Tani po e shohim një hezitim të disa prej vendeve anëtare si Franca, Holanda dhe deri diku edhe Gjermania e cila nuk ka një qëndrim të qartë, përkundër faktit që ministri i brendshëm ka thënë që po e përkrahë liberalizim e vizave, por në anën tjetër në takimin e këshillit të ministrave të punëve të brendshme që u mbajt me 6 dhe 7 qershor, i parapriu këtij takimi dhe asgjë nuk u diskutua për Kosovën.

As Gjermania e as shtetet tjera nuk e hapen temën e liberalizimit të vizave”, ka thënë ministrja Hoxha në një intervistë për ekonomiaonline.

Ajo thotë se Kosova ka plotësuar të gjitha kriteret, por potencon se pa pasur një unitet në mes të vendeve anëtare nuk pritet që të ketë një vendim pozitiv për vizat.

Në ofensivë kundër Haradinajt është vënë edhe presidenti Hashim Thaçi, i cili teksa ka komentuar raportin e fundit të progresit të BE-së në të cilin flitet shumë pak për liberalizimin e vizave e tregohet që është duke u shqyrtuar në Këshill.

Thaçi kishte bërë thirrje për institucionet e Republikës së Kosovës që të reflektojnë karshi gjendjes së rëndë në të cilën gjendet Kosova.

Ndërkohë në një reagim më 22 qershor, Thaçi fajësonte në mënyrë direkt Qeverinë e Ramush Haradinajt, se pse Kosova nuk po e merr liberalizimin e vizave.

Sipas tij veprimet e pakoordinuara dhe të gabuara të institucioneve të Kosovës, kanë bllokuar dialogun dhe kanë prolonguar çështjen e liberalizimit të vizave.

“Vendimet dhe veprimet e nxituara, të pakoordinuara dhe të gabuara strategjikisht të institucioneve shtetërore të Republikës së Kosovës, kanë dëmtuar rëndë respektin dhe mbështetjen e partnerëve tanë perëndimorë për Kosovën.

Si rrjedhojë, partnerët tanë ndërkombëtarë, fatkeqësisht sot e mbajnë Kosovën përgjegjëse për bllokimin e dialogut, për dështimin e takimit të paraparë në Paris dhe për prolongimin e vendimit për liberalizimin e vizave për qytetarët tanë”, kishte shkruar Thaçi.

Megjithatë Ramush Haradinaj mbetet i bindur në mbështetjen e madhe të Gjermanisë për liberalizimin e vizave, dhe thotë se një gjë e tillë do të ndodh më së largu deri në vjeshtën e këtij viti.

Çështja e liberalizimit të vizave nga 1 korriku do të jetë në dorën e Presidencës së Finlandës në BE, dhe mbetet të shihet puna që do të bëjnë finlandezët për të quar përpara liberalizimin e vizave për kosovarët.

Ndërkohë një rol jetik kanë edhe shtetet anëtare, të cilat duhet ta fusin në rend dite në mbledhjet e Këshillit./GazetaExpress/

The post Dhurata Hoxha s’i beson Ramush Haradinajt rreth rolit të Gjermanisë për vizat appeared first on .

Loading...