Detaje të planit të arratisjes së malazezit nga Burgu i Sigurisë së Lartë

  • November 09, 2018 14:00
  • Lajme

Në ndihmë për t’u arratisur nga Burgu i Sigurisë së Lartë, njërit prej pjesëtarëve të bandës kriminale, Mario Millosheviq, i dolën edhe një zyrtar i Qeverisë së Kosovës dhe një gardian i burgut.

Gazeta Express merr vesh se zyrtari në fjalë është Petrit Mustafa dhe deri tani ka ushtruar detyrën e zyrtarit në Departamentin e Logjistikës dhe Shërbimeve të Përgjithshme në Ministrinë e Diasporës.

Banda kriminale ishte zënë nga policia e Kosovës në korrik të këtij viti, pasi po kërkoheshin nga INTERPOL’i për vrasje e kidnapime. Gjatë arrestimit, atyre iu gjetën substanca narkotike dhe armë. Pjesë e bandës ishin edhe Laureta Zyba, kosovarja 23-vjeçare, për të cilën Express ka shkruar ditën e arrestimit, një shtetas serb dhe dy shtetas malazezë.

Dy malazezët, Mario Milosheviq, i njohur edhe si Mirosllav Kostiq, Gjorgje Paviqeviq, shtetasi serb Strahinja Dankoviq si dhe kosovarja Laureta Zyba ishin arrestuar më 18 korrik nga Policia e Kosovës.

Millosheviq, është njëri nga personat më të kërkuar në Malin e Zi, për shkak se dyshohet se ka kryer disa vrasje atje. Pikërisht këtij personi i është premtuar që ta nxjerrin nga Burgu i Sigurisë së Lartë në Kosovë.

Prokuroria pretendon se ai që e ndihmoi është gardiani Stefan Veliçkoviq, i cili u arrestua të enjten nga Policia e Kosovës. E gardianit, zyrtari i ministrisë Petrit Mustafa, dyshohet se ia ka dhënë 3 mijë euro dhe disa telefona mobilë në mënyrë që t’i mundësohet arratisja malazezit Mario Millosheviq.

Nga Ministria e Diasporës kanë thënë përmes një komunikate se zyrtari i tyre është pezulluar nga detyra, deri në vendimin përfundimtar të organeve kompetente.

“Me datën 08.11.2018 , duke marrë për bazë sistemin e vijueshmërisë në punë të hyrje daljeve dhe shkrimeve të mediave elektronike në lidhje me arrestimin e dy personave të dyshuar për veprat penale “marrje ryshfeti”, dhënie ryshfeti dhe përvetësim në detyrë ka kërkuar sqarim zyrtar nga policia e Kosovës nëse i arrestuar është për punonjësin e saj P.M. , zyrtar në MDIS”, u tha në komunikatën e tyre për media.

Edhe gardiani Stefan Veliçkoviq, që dyshohet se ka tentuar të ndihmojë në arratisjen e Mario Millosheviq nga Burgu i Sigurisë së Lartë, është suspenduar nga puna.

Zëdhënësi i Shërbimit Korrektues, Jeton Kabashi, ka thënë për Gazetën Express se vendimi për suspendimin e zyrtarit është marrë nga Drejtori i Burgut të Sigurisë së Lartë.

“Vendimi është marrë nga Drejtori i Burgut të Sigurisë së Lartë, pas një hetimi që ka rezultuar me tentim futje të kontrabandes në këtë institucion të Sigurisë së Lartë. Zyrtari në fjalë pas hetimeve është arrestuar nga Policia e Kosovës”, thuhet në përgjigje për Express.

Kush është Mario Millosheviq?

Mario Millosheviq dyshohet se ka vrarë Radomir Gjurikoviqin më 10 tetor të vitit 2016 në Cetinjë, por edhe vrasje të tjera që lidhen me grupe te armatosura. Në këtë vrasje dyshohet se ka marrë pjesë edhe serbi Vujaçiq Vukan (21-vjeçar). Ai më vonë, ishte arratisur nga Serbia.

Mario Millosheviq


Përveç vrasjes së Radomir Gjurikoviq, malazezi Mario Millosheviq akuzohet për vrasjen e George Sekulovic (30-vjeçar).

Në janar të vitit 2017 në Podgoricë, besohet se Millosheviq ka montuar një bombë në makinën e Sekuleviciq, i cili mbeti i vdekur aty.

Sekuleviq, sipas të dhënave operative të autoriteteve malazeze, po merrej me vrasjen e Radomir Gjurikoviqit, të cilin besohet se e ka vrarë Mario Millosheviq.

Në operacionin policor që ndodhi në korrik, pjesë e kësaj bande ishte edhe Gjorgje Paviçeviq, i cili ishte i akuzuar për rrëmbim dhe zhvatje, në një rast që kishte ndodhur në vitin 2015 në Kotor. I njëjti, më vonë kishte ikur nga spitali ku po vuante dënimin, për t’u fshehur më vonë në Kosovë.

Krejt ky operacion i korrikut ndodhi në bashkëpunim të PK’së me ndërkombëtarët, pas shkëmbimit të informacioneve me autoritetet malazeze. Aksioni i Njësisë Speciale të Policisë së Kosovës u zhvillua në lagjen “Kalabria” të Prishtinës.

E sa i përket Petrit Mustafës dhe gardianit Stefan Veliçkoviq, me vendim të Gjykatës Themelore të Prishtinës do të qëndrojnë për 30 ditë në paraburgim./GazetaExpress/

Loading...