Vitet e mbytura

  • October 29, 2018 11:00
  • Kulturë

Krijimi i çmimit Man Booker International për prozën e përkthyer në vitin 2016, e fuqizoi në mënyrë të ndjeshme profilin e një numri shkrimtarësh dhe të përkthyesve të tyre. Më parë qe çmimi Independent Foreign Fiction Prize për prozën e huaj, por Man Booker, pati një impakt më të fortë. Ja, ku kemi më në fund, një pikë kthese.

Kjo është ajo që ndodh me prozën. Poezia e përkthyer, si edhe poezia në përgjithësi, është më pak e ekspozuar, por revista të tilla në veçanti, si Modern Poetry in Translation që botohet prej 53 vitesh, dhe Asmymptote, i kanë dhënë hapësirë poezisë së përkthyer nga një numër i madh gjuhësh, dhe shtëpi botuese të tilla si Bloodaxe, Carcanet, Shearsman, dhe Arc, kanë botuar vazhdimisht poetë prej gjuhëve të tjera, sidomos kjo e fundit, me botimet bilingual.
Më i njohuri, ndoshta i vetmi shkrimtar modern shqiptar i njohur ndërkombëtarisht, është romancieri Ismail Kadare, vepra e të cilit i përket periudhës totalitare komuniste, kryesisht të sundimit të Enver Hoxhës, dhe reflekton situatën e asaj kohe. Poetja kryesuese shqiptare që i përket brezit tjetër, është Luljeta Lleshanaku, e lindur në vitin 1968. “Negative space” është libri i saj i dytë i botuar në Mbretërinë e Bashkuar, pas “Heywire: New and Selected poems” (Bloodaxe 2011), megjithëse New Directions në Shtetet e Bashkuara, e ka botuar autoren që në vitin 2002. Ajo vetë është një fëmijë i diktaturës dhe ka kaluar një pjesë të jetës së saj e përndjekur politikisht, pa mundur të botojë poezitë e saj deri në ndryshimin e sistemit në vitin 1990.
“Negative space” është një përmbledhje e dy librave me poezi të botuar në shqip “Pothuajse dje” (2012), dhe “Homo antarcticus”(2015). Dy librat janë të ndryshëm nga njëri-tjetri, por dëshmojnë të njejtin sy filmik, që e fotografon botën përmes kontekstit të imazheve brilante, e gjitha e ndërtuar mbi mbi një truall historie të fshirë dhe përvoje personale. Ashtu siç shkruan në poezinë “Stacionet e vegjël”:

Nuk harrohen lehtë stacionet e vegjël,
ndalesat e shkurtra me xhepa të mëdhenj.
Duke fiksuar çdo detaj,
ata do të jenë alibia jonë për mos-mbërritjen në kohë
ose për mos-mbërritjen kurrë,
atje për ku ishim nisur. 

Por ndërsa poezitë e saj duken sikur kompozohen nga stacione të vegjël province, nga detaje konkrete, përtej detajeve, ndjehet makthi i zhdukjes së historisë, si tek poezia “Fëmijët e moralit”:

Një derë u hap padashje, drita çau me forcë,
dhe si në një laborator filmi,
ajo shkërmoqi portretet e tyre në bromid argjendi,
që dikur, mund të kenë qenë prej mishi dhe kocke.

Poema “Hapësira negative”, e cila i jep edhe titullin botimit në anglisht, është pjesë e librit “Pothuajse dje”. Në këtë poemë të konceptuar në tetë pjesë, që është edhe një nga më të gjatat, autorja e fillon rrëfimin me lindjen e saj dhe më pas e ndjek historinë nga ky këndvështrim, nga koncepti i hapësirës negative, hapësirë pas hapësire negative. Engjëlli Gabriel i shfaqet dhe i thotë ‘lexo’, në një kohë kur “zbulimi im, është veç një udhëtim në të shkuarën,/
në një galaktikë tashmë të vdekur, të shuar,/ një lajm, të cilit iu deshën miliona vjet/
për të mbërritur tek unë.)
Kjo e bën veprën e saj të tingëllojë si një dëshmi historike rrënimi, por që njëkohësisht është kaq e mbushur me jetë dhe detaje të gjalla, saqë të mbështjell me shpresë dhe qëllim ripërtëritës. Stacionet e vegjël, me detajet e tyre të holla janë pjesë e një sistemi shumë herë më të madh, të një kozmologjie që zgjerohet përtej Shqipërisë dhe sferës së autokracisë. Dhe kjo bëhet veçanërisht e dukshme në poemat e saj të gjata, që shpalosen para nesh si një kozmologji humane e të kuptuarit dhe arsyetimit logjik mbi botën.
Poema “Homo antarcticus”, e marrë nga libri me të njejtin titull, është në thelb historia e krahut të djathtë të Ernest Shakëltonit, Frenk Wild-it. Kjo poemë, nga njëra anë është një analizim i botës mashkullore in extremis, nën kushtet e akullit, urisë, dhe vështrirësive, ku “vetëm një burrë zgjedh të pushtojë errësirën e mendjes/përmes errësirës së trupit,” dhe ku recetat e një libri gatimi (nga të paktat sende që u shpëtuan prej anijes së mbytur), trajtohen “fshehurazi,/ si një fetish,/ si të ishin të brendshme intime gruaje…” Këtu “një gjuhë e re është si një peshk;/ duhet t’i heqësh shtyllën kurrizore në fillim,/ për ta përtypur pastaj ngadalë dhe me kujdes…” Kjo poemë nuk ofron teori mbi maskilizmin; ajo ofron një formë të jetës njerëzore, të tillë që mund ta interpretosh, dhe çdo vragë të së cilës, mund ta “numërosh me një gjest indiferent, fëminor, epik.”
Poema tjetër e gjatë, “Ujë dhe karbon”, është një meditim i mrekullueshëm mbi vlerën e botës fizike, në këndvështrimin e pastër materialist të njerëzimit. E çfarë është lakuriqësia? E çfarë do të thotë të arrish plotësimin fizik dhe pastaj ta kapërcesh atë? Dhe pastaj vjen ëmbëlsia, delikatesa absolute e gjërave, si në poezinë “Plakja”:
Pyet të t’ëmë, çfarë di për plakjen. Pyet gratë e moshuara të fisit,
ashtu, të stivosura bukur,
si një takëm lugësh prej argjendi në një kuti kartoni,
në pritje të një darke që mbase nuk vjen kurrë…
Të njëjtat pyetje bëjmë edhe ne. Përkthimet e poezive, nga Ani Gjika, përcjellin pikërisht këtë linjë vitaliteti, duke na mbajtur edhe në të lidhur pas tyre.
Botuar në The Poetry Review, Volumi 108, 2.

Loading...