“Synonyms” fiton në Festivalin e Berlinit

  • February 20, 2019 17:31
  • Kulturë

Është mbyllur edicioni i 69-të i Berlinales, me ndarjen e çmimeve të mbajtur në Berlinale Palast. Ceremonia nisi me një ‘standing ovation’ në nder të aktorit Bruno Ganz, ndarë nga jeta dy ditë më parë, i pasuar nga një tribut për drejtorin artistik Dieter Kosslick. “ Një nga aktorët më të mëdhenj. Tani është me të vërtetë në qiejt sipër Berlinit”, duke iu referuar filmit të Wim Wenders. Fituesi i “Ariut të artë” për filmin më të mirë është Synonyms (Synonymes). Një film që tregon historinë e një të riu izraelit  (Tom Mercier), që tenton të rikrijojë një jetë në Paris, duke u përpjekur të fsheh rrënjët e tij. Për këtë do t’i vijë në ndihmë një fjalor franko-izraelian. Regjisori Nadav Lapid ka pranuar se filmi i tij provokativ mund të konsiderohet për disa si skandaloz, por për të ky film është një “kremtim” që i bëhet kinemasë.

“Arinjtë e argjendtët”
“Ariu i argjendtë” për çmimin e madh të jurisë shkoi për “By the Grace of God”.  Me çmimin për regjinë më të mirë u vlerësua “I was at home”, ndërsa çmimet për aktorin dhe aktoren më të mirë, shkuan për protagonistët e filmit kinez “So Long, My Son”, Wang Jingchun dhe Yong Mei.

Roberto Saviano bën për vete Berlinalen

I vetmi film italian në garë ishte “La paranza dei bambini”.  Një film i bazuar në romanin e Roberto Savianos i realizuar nga regjisori Claudio Giovannesi,  që mundi të fitojë “Ariun e argjendtë” për skenarin më të mirë të edicionit të 69-të të Berlinales. Saviano i ka dedikuar fitoren organizatave që shpëtojnë jetë në Mesdhe dhe “mjeshtërve të rrugës” që në Napoli shpëtojnë jetë nëpër lagje. Në filmin e rrëfyer nga Saviano dhe Giovannesi fëmijët nuk kanë moshë: ecin me shpejtësi mbi ‘scooter-ët’ e tyre, mbajnë armë, duan të bëjnë para. “Nuk është një histori e sajuar, por e vërtetë, një seancë gjyqi e mbajtur në Napoli ku 43 vetë u dënuan gjatë verës së vitit 2016. Të rinj të gatshëm për të dhënë jetën po dhe për të vrarë për hir të parasë, famës, imazhit”, u shpreh shkrimtari i “Gamorra”. Ndërsa regjisori theksoi se për ta, të rrëfenin këtë histori ka qenë një akt rezistence. “Sepse të thuash të vërtetën në vendin tonë sot është bërë diçka shumë komplekse”, shtoi ai, duke nënvizuar se ky çmim shkon pikërisht për Italinë.

Yjet në tapetin e kuq
Festivali Ndërkombëtar i Berlinit, i njohur ndryshe si Berlinale është një event që zgjat 11 ditë, e që çdo vit mirëpret miliona vizitorë dhe profesionistë, nga regjisorët tek aktorët e filmave të fundit që janë prodhuar. Një festival më ‘casual’ krahasuar me Sundance, por në të njëjtën kohë më pak ‘glamour’ se sa Cannes dhe Venecia. Megjithatë gjatë Berlinales disa prej yjeve shfaqen në tapetin e kuq me veshje spektakolare. Nga 1951-shi në fakt, Berlinalja ka marrë çdo vit e më shumë prestigj, duke u bërë një nga festivalet më në zë në nivel ndërkombëtar, në të cilin marrin pjesë artistë që vijnë nga e gjithë bota. Përfshirë artistë që edhe pse Festivali mbahet gjatë muajit shkurt, sfidojnë temperaturat e ulëta gjermane në tapetin e kuq me ‘look-un’ e tyre. Nga Diane Kruger, e cila u shfaq gjatë premierës së “The Golden Glove” në një komplet të zi me minifund dhe detaje të rafinuara nga Giambattista Valli. Po në të zezë ishte veshur Tilda Swinton e cila e zgjodhi këtë ngjyrë përmes kombinimeve të ndryshme si në ‘photocall’ ashtu edhe në tapetin e kuq të “The Souvenir”. Sensuale në të një fustan “nude” u shfaq gjatë Festivalit edhe Juliette Binoche. Gjatë këtij eventi kanë rënë në sy për veshjen e kuruar edhe yjet gjermane të festivalit si Katharina Schuettler dhe Karoline Schuch.
Fituesit e çmimeve të edicionit të 69-të të Festivalit të Berlinit:
Ariu i artë për filmin më të mirë
“Synonymes” – Nadav Lapid (Francë/Izrael/Gjermani)
Ariu i argjendtë  – Çmimi i madh i jurisë
“Grâce à Dieu” – François Ozon (Francë/Belgjik)
Ariu i argjendtë – Çmimi “Alfred Baue”r
“System Crasher” – Nora Fingscheidt (Gjermani)
Ariu i argjendtë për regjisorin më të mirë
Angela Schanelec – “I was at home”, (Gjermani/Serbia)
Ariu i argjendtë për aktoren më të mirë
Yong Mei – So Long, My Son (Kinë)
Ariu i argjendtë për aktorin më të mirë
Wang Jingchun – “So Long, My Son”
Ariu i argjendtë për skenarin më të mirë
Maurizio Brauçi, Claudio Giovannesi, Roberto Saviano – “La paranza dei bambini” (Itali)
Ariu i argjendtë për kontributin më të mirë artistik
Rasmus Videbæk, drejtor fotografie – “Out Stealing Horses” (Norvegji/Svicër/Danimarkë)
Çmimi për dokumentarin më të mirë
“Talking About Trees” – Suhaib Gasmelbari (Francë/Sudan/Gjermani/Katar/Çad)
Çmimi për veprën e parë më të mirë
“Oray” – Mehmet Akif Büyükatalay (Gjermani)
Berlinale Shorts
Ariu i artë për filmin më të mirë të shkurtër
“Umbra” – Florian Fischer, Johannes Krell (Gjermani)
Ariu i argjendtë – Çmimi i jurisë për filmin e shkurtër
“Blue Boy” – Manuel Abramovich (Argjentinë/Gjermani)
Çmimi “Audi Short Film”
“Rise” – Bárbara Wagner, Benjamin de Burca (Brazil/SHBA/Kanada)

Loading...