A janë Histori kujtimet tona

  • October 10, 2018 11:00
  • Kulturë

Iniciuar në vitin 2003 nga Ministria e Kulturës e Kosovës për të promovuar artistët vizual në Kosovë, Ekspozita e Çmimit Muslim Mulliqi është ekspozita më e rëndësishme për artet bashkëkohore vizuale në Kosovë. Kjo është një ekspozitë e kuruar me pjesëmarrës vendorë dhe ndërkombëtarë, e përgaditur nga një apo shumë kurator të jashtëm që përzgjedhin artistët vendorë edhe ata ndërkombëtarë.

Tani në edicionin e tij të 12-të, Çmimi Muslim Mulliqi tenton të pozicionohet si një nga projektet më interesante të artit bashkëkohor në regjion. Një katalog ekskluziv do të botohet dhe shpërndahet ndërkombëtarisht.

Juria profesionale do të përzgjedhë një fitues që merr çmimin për veprën më të mirë të paraqitur të artit pamor.

Juria e këtij edicionit të dymbëdhjetë të MM është:

Visar Mulliqi, profesor i pikturës në Fakultetin e Arteve në UP;

Dita Starova-Qerimi, drejtoreshë e Galerisë Kombëtare të Maqedonisë;

Valentina Bonizzi, artiste vizuale.

Ekspozita Çmimi “Muslim Mulliqi” do të mbledh së bashku si artistët Kosovar ashtu edhe ata ndërkombëtar dhe do të përfshijë si veprat ekzistuese ashtu edhe projektet e bërë posaçërisht për ekspozitën. Nga shikimi i parë i lidhjes tradicionale ndërmjet artit dhe shoqërisë, ekspozita ka për synim që të tërheq një publik të gjerë që do të zbulojë përmbajtjen konceptuale, sociale dhe politike pas një hapësire tërheqëse vizuale.

Projekti mbështetet nga MKRS, dhe Banka Raiffeisen, e cila tradicionalisht per shume vite me radhë i del në përkrahje Galerisë Kombëtare dhe bienaleve të saj.

Poashtu projektin e ndihmuan kompania ndërtimore Bavaria, dhe si sponzorë medial RTV21 dhe RTK.

Autorja e konceptit dhe përzgjedhësja e artistëve të këtij edicioni është Iara Boubnova, kuratore e artit bashkëkohor dhe kritike arti nga Sofja.

(Ajo u lind në Moskë, Rusi, ku edhe diplomoi në Departamentin e Historisë dhe Teorisë së Artit në Universitetin Shtetëror të Rusisë. Që nga viti 1985 ajo punon në Galerinë Kombëtare për Art të Huaj në Sofje si Kuratore në Departamentin e Artit të Evropës Lindore. Në vjeshtën e vitit 2013 Ministri i Kulturës e emëroi Drejtoreshë të Galerisë Kombëtare për Art të Huaj, në Sofje, Bullgari. Që nga janari 2015 ajo u bë Zëvendës Drejtoreshë e Galerisë Kombëtare të themeluar së voni dhe është përgjegjëse për koleksionin ndërkombëtar të Galerisë. 

Që nga viti 1995 Iara Boubnova është Drejtoreshë Themeluese e Institutit të Artit Bashkëkohor – Sofje.)

Tema e edicionit të sivjetmë: A janë Histori kujtimet tona?

“Paul Ricoeur në fillim të “Kujtesa, Historia, Harresa” (2000) shpjegon arsyen e shkrimit të librit: “Unë mbetem i brengosur nga spektakli shqetësues se shumë kujtesë lëshon pe këtu dhe shumë harresë lëshon pe atje, duke mos thënë asgjë për ndikimin e përkujtimit dhe abuzimit të kujtesës – dhe të harresës”. Në botën e sotme çdo gjë ndryshon tërë kohën. Duket se as e kaluara nuk është statike. Historia, kujtesa dhe përkujtimi janë objekt studimi i historianëve, antropologëve, sociologëve, filozofëve, historianëve të artit dhe letërsisë, po aq sa janë edhe shënjestër dhe material për manipulim politik. 

Nuk ekziston vetëm një Histori dhe ne po jetojmë në një entropi të Historisë, por a mund ta ruajmë energjinë që mblidhet në “historitë” individuale dhe të vetme?“ 

Loading...