“Plus Center”, marketi i vetëm në Kosovë pa produkte serbe dhe që vendosë flamuj të origjinës së produkteve (Video)

  • November 09, 2018 18:00
  • Ekonomi

Marketi “Plus Center” në Ferizaj, është i pari në këtë veprimtari që ka filluar ta zbatojë – para se të hyjë në fuqi – “Ligjin për Mbrojtjen e Konsumatorit”, duke vendosur flamujt e shteteve prej nga vinë produktet.

Pronari i këtij biznesi, Sylejman Neziri, në të cilin nuk shiten produktet nga Serbia, ka thënë se për Telegrafin se ligji i ri po mirëpritet nga konsumatori.

“Ligji është i mirëpritur por hynë në fuqi shumë vonë. Konsumatorët shumë kohë më parë kanë kërkuar që të bëhet një gjë e tillë dhe të dihet se prej nga vinë produktet. Mendoj se ligji në fjalë e vetëdijesohen shumë popullatën dhe Qeverinë tonë”, ka shtuar Neziri.

Sipas tij, ky do të jetë një hap i ri që do ta kthejë fokusin nga prodhimet vendore.

“Mendoj se prodhimeve vendore nuk i është dhënë asnjë rasti dhe mundësia. Është turp sepse të gjitha produktet i marrin nga Serbia, dhe prodhuesve vendorë nuk po i është dhënë mundësia, pavarësisht nëse kualiteti i produkteve nuk është i lartë”, ka theksuar Neziri.

Ai ka folur edhe për taksën e importit prej 10 për qind për produktet e Serbisë dhe Bosnje dhe Hercegovinës, duke thënë se kjo taksë është e vonshme dhe e ulët.

“Shpresoj që do ta mbajnë fjalën dhe ta vazhdojnë këtë vendim. Mendoj se kjo taksë do të duhej të ishte 50 për qind, sepse një vend që na ka bërë tërë ato dëme ne ta marrin krejt mallin prej tyre”, ka shtuar Neziri.

Ndryshe, me 15 mars të këtij viti ka kaluar në lexim të parë në Kuvendin e Kosovës Projektligji për mbrojtjen e konsumatorit, që është bërë në harmonizim me legjislacionin e BE-së, e i cili do të hyjë fuqi nga 29 dhjetori i vitit 2018. /Telegrafi/

Loading...