OAK kërkon përmirësimin e infrastrukturës në zonat ekonomike

  • September 25, 2017 14:40
  • Ekonomi

Një delegacion nga Oda e Afarizmit të Kosovës (OAK), kanë takuar ministrin e Infrastrukturës, Pal Lekaj, të cilin e kanë njoftuar për mungesën e infrastrukturës në zonat ekonomike, si dhe i kanë kërkuar inicimin për ndryshimin e ligjit për automjete, sidomos të neneve që kanë të bëjnë me taksat e regjistrimit dhe nenit që përcakton lokacionin për kontrollimin teknik.

Ata gjithashtu kanë kërkuar të sinjalizohen rrugët sipas standardeve të BE-së, të njoftohen qytetarët në rast të ndonjë aksidenti apo bllokimi të rrugës sepse mos njoftimi i qytetarëve për aksidente apo bllokimi i rrugëve po shkakton kolona të gjata, si dhe një mori problemesh që po ka biznesi në Kosovë.

Delegacioni i OAK-ut, i kryesuar nga drejtori i Bordit, Skënder Krasniqi, nënkryetari Arsim Selmonmusaj, anëtarët Hasan Gigollaj, Hysni Zogaj, si dhe drejtori ekzekutiv Ismet Mulaj me bashkëpunëtor, u pritën nga ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj dhe nga këshilltari Juridik, Riza Smaka.

Gjatë këtij takimi Krasniqi, e uroi ministrin Lekaj për pozitën e ministrit, duke i dëshiruar punë të suksesshme në një nga digasterët me interes për biznesin.

Me këtë rast, Krasniqi e njoftoi Ministrin Lekaj për të arriturat e OAK-së dhe aktivitetet që po zhvillon në të mirë të biznesit.

Po ashtu, Krasniqi përmendi disa nga kërkesat për Ministrin e Infrastrukturës, ndër to ishin: mungesa e infrastrukturës në zonat ekonomike apo në zonat me përqendrim biznesi, mos anëtarësimi i Kosovës në Shoqatën Ndërkombëtare të Transportueseve (TIR), të inicohet ndryshimi i ligjit për automjete, sidomos nenet që kanë të bëjnë me taksat e regjistrimit, ku të paguhet vetëm njëherë gjatë vitit, e jo sa herë shitet automjeti, si dhe neni që përcakton lokacionin për kontrollimin teknik, të sinjalizohen rrugët sipas standardeve të BE-së, sepse mos sinjalizimi i rrugëve po shkakton aksidente të rënda dhe me fatalitet, të njoftohen qytetarët në rast të ndonjë aksidenti apo bllokimi të rrugës sepse mos njoftimi i qytetarëve për aksidente apo bllokimi i rrugëve po shkakton kolona të gjata, si dhe një mori problemesh që po ka biznesi në Kosovë.

Ndërsa ministri Lekaj u shpreh i gatshëm që të bashkëpunoj me OAK-un dhe të punojë në të mirë të biznesit për zgjidhjen e secilit problem që ka biznesi.

Në fund të këtij takimi, delegacioni i OAK-ut dhe ministri Lekaj u dakorduan që bizneset duhet të përkrahen dhe duhet të punohet në heqjen e çdo barriere në interes të zhvillimit të vendit. /Telegrafi/