Limaj: Vendimi për taksat ndaj Serbisë më shumë çështje kombëtare

  • November 09, 2018 13:00
  • Ekonomi

Zëvendëskryeministri, Fatmir Limaj gjatë një vizite në Odën Ekonomike të Kosovës (OEK), ka thënë se iniciativa për themelimin e odës së përbashkët ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë është ide e qëlluar dhe duhet të ndodhë për zgjidhjen e shumë problemeve që kanë këto dy vende për çështje ekonomike.

Ai tha se Qeveria e Kosovës duhet të vazhdojë ta fuqizojë partneritetin me bizneset.

“Besoj që më 26 nëntor odat shqiptare do të arrijnë marrëveshje. Sepse nuk jemi të kënaqur me bashkëpunimin ekonomik Kosovë-Shqipëri. Në mesin e shumë çështjeve presin pret përgjigje edhe çështja e taksës rrugore në Rrugën e Kombit që është shumë e lartë. Kjo duhet të zbritet të mos behët kosto e lartë për bizneset e Kosovës dhe Shqipërisë. Kosova është e gatshme për bashkëpunim ekonomik me Tiranë”, tha Limaj.

Ndërsa çështja e taksës me Serbinë, Limaj tha se Serbia në vazhdimësi ka shkelur marrëveshjen e CEFTA-s.

“Vendimi ndaj mallrave të Serbisë nuk është thjesht vetëm çështje tregtare, por është edhe kombëtare. Sepse sigurinë e shtetit e kemi në prioritet. Pra, shpresoj që këto veprime të Serbisë dhe Bosnjës ndaj Kosovës të ndryshojnë, dhe të kthehet normaliteti”, theksoi Limaj.

Kryetari i OEK Berat Rukiqi theksoi se OEK e ka përkrah vendimin e Qeverisë për taksën prej 10 për qind me Serbinë. Ndërsa, shtoi se edhe një barrierë kryesore mbetet me Shqipërinë, taksa rrugore dhe procedura të tjera në kufi.

“Është me rëndësi që vendimet qeveritare për ekonomi, të jetë OEK një filtër i tyre, që mos të kenë pasoja në vazhdim”, tha Rukiqi. /Telegrafi/

Loading...