Fuqizohet ekonomia kineze

  • July 17, 2017 10:01
  • Ekonomi

Ekonomia e dytë më e madhe në botë është rritur sipër projeksioneve në tremujorin e dytë, nxitur nga prodhimi industrial, konsumi dhe investimet. Analistët presin ende një ngadalësim në pjesën tjetër të vitit, ndërkohë që politikëbërësit në Kinë përpiqen të reduktojnë riskun financiar.

Ekonomia u rrit me 6.9 për qind në tremujorin e dytë, me bazë vjetore, normë e njëjtë me tremujorin e parë, raporton zyra Kombëtare e Statistikave. Kjo normë ishte sipër projeksioneve të analistëve për rritje me 6.8 për qind.

Me bazë tremujore, Produkti i Brendshëm Bruto u rrit me 1.7 për qind, krahasuar me 1.3 për qind që ishte në tremujorin e parë.

“Në total, ekonomia ka vazhduar në progres për gjysmën e parë të vitit, megjithatë, pasiguritë ndërkombëtare përbëjnë ende rrezik, ndërsa krijimi i pabarazive të brendshme strukturore vazhdon”, deklaron Zyra e Statistikave.

Qeveria synon një normë të rritjes ekonomike në rreth 6.5 për qind për 2017, në rënie nga 6.7 për qind që ishte në 2016-ën, kur u regjistrua dhe rritja më e dobët në 26 vite.

Prodhimi i fabrikave u rrit me 7.6 për qind me bazë vjetore, ndërsa investimet në aktive fikse u zgjeruan me 8.6 për qind në 6 muajt e parë të vitit.

Gjithashtu, shitjet me pakicë u rritën me 11 për qind, norma më e shpejtë që prej Dhjetorit të 2015-ës. Rimëkëmbja e kërkesës globale për produktet kineze mund të mbështesë vendin, ndërkohë që liderët përpiqen të përmbajnë rritjen gjigante të borxhit, që është fryrë në 277 për qind në raport me PBB.

Tregjet e kapitalit patën performancë pozitive pas publikimit të të dhënave për ekonominë e dytë më të madhe në botë. Indekset e titujve të kapitalit në Azi u mbyllën në rritje, gjatë sesionit të parë të javës, përveç indeksit të Shangait, që rikuperoi humbjet e mëparshme. /Telegrafi/